Pse ka rëndësi pronësia e medias?
Media ndikon mënyrën se si faktet shihen dhe debatohen në një shoqëri. Pavarësia dhe pluralizmi i medias, opinioni publik dhe këndvështrimet - përfshirë kritikimin e njerëzve në pushtet - janë masa mbrojtëse për një demokraci të shëndetshme. Monitorimi dhe sigurimi i pluralizmit të pronësisë është hapi i parë drejt pavarësisë dhe lirisë për të zgjedhur.
Si mundet që njerëzit të vlerësojnë besueshmërinë e informacionit nëse ata nuk e dinë se kush e jep atë? Si mundet që gazetarët të punojnë sicc duhet nëse ata nuk e dinë se kush e kontrollon kompaninë për të cilën punojnë? Dhe si mundet që autoritetet e medias të trajtojnë përqendrimin e tepërt të medias nëse ata nuk e dinë se kush është duke drejtuar timonin e medias.
Struktura e pronësisë mund të ndikojë gjithashtu në mënyrën se si industria e medias menaxhon butimet e veta. Ajo i jep formë fuqisë ekonomike dhe eficencës së sektorit të medias, gjë që është me interes të veçantë për investitorët potencialë.
Monitori i Pronësisë së Medias gjeti se audienca dhe të ardhurat në tregun shqiptar mbeten shumë të përqendruara në duart e pak grupimeve nën pronësi familjare, të cilat dominojnë tregun e medias.
Zbuloni më shumë se 'kush e ka pronësinë e medias' në databazën tonë.
Ballkanit Perëndimor vijon të ketë shumë të përbashkëta pavarësisht shumë dekadave pavarësi.
Në shkallë të ndryshme, mediat vuajnë nga ndërhyrja shtetërore, raportimi i njëanshëm nga media në reflektim të interesave të fshehta të pronarëve, standardeve të ulëta, kanosja ligjore dhe fizike e gazetarëve, mungesa e stabilitetit financiar, të dhënat e dobëta mbi ndarjen e audiencës dhe të tregut, një tendencë drejt përqendrimit, dhe një kuadër rregullator i cili mund të ngjajë i mirë në letër, por zbatimi i tij lë për të dëshiruar.
Forcat e kundërta të lidhjeve kulturore dhe fragmentarizimi politik
Ky hulumtim i gjerë i Monitorit të Pronësisë së Medias, zbatuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative, ka vënë në dukje se mungesa e rregullimit ndërkufitar mund të jetë problem në një fushë ku media në një vend mund të arrijë me lehtësi audienca në një vend tjetër përmes gjuhëve të përbashkëta.
Kjo e ka bërë edhe më të lehtë që qeveri nga vende të tjera, të tilla si Rusia, të krijojnë media rajonale për të përhapur propagandë të drejtpërdrejtë përmes partnerëve vendorë.
Rajoni kishte pak media përveç asaj shtetërore deri sa komunizmi ra në fillim të viteve ’90 në Shqipërinë e izoluar dhe në Jugosllavi, e cila u shpërbë dhunshëm në shtete të ndryshme.
Dy shtetet më veriore të këtyre – Kroacia dhe Sllovenia – janë bashkuar me Bashkimin Evropian ndërsa të tjerët duhet të kapërcejnë shumë pengesa, përfshirë ato që lidhen me lirinë e medias.
Serbët, malazezët dhe boshnjakët (si dhe kroatët) mundet në praktikë të komunikojnë përmes të njëjtës gjuhë, ndërsa këmbëngulin për versionin e tyre të veçantë të saj, gjuhë që edhe shumë në Maqedoninë e Veriut e kuptojnë. Shumë media i shënjestrojnë të gjitha këto audienca njëherësh.
Shqiptarët flasin një gjuhë shumë të ndryshme, siç është rasti i shumicave në Shqipëri dhe në Kosovë, si dhe pakicave në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi.
Në vitet 1990, shumë media të huaja, më së shumti nga BE-ja, nxituan në atë që shpresuan se do të ishte një treg i ri fitimprurës, por që nga ajo kohë janë larguar pasi e gjetën tepër të vështirë të nxjerrin fitime në vende në të cilat të ardhurat janë ende shumë poshtë mesatares evropiane.
Por kompanitë mediatike panevropiane mbeten, ose duke mbërritur tek audiencat nga një bazë, ose duke krijuar kompani vendore në secilin vend të shënjestruar. Detajet mbi strukturën e tyre, pronarët dhe pjesët takuese të tregut ishin me raste të vështira për t’u mësuar.
Këto lloj mediash përfshijnë zviceranen Ringier, kompani mediatike kroate dhe United Group, nën pronësinë e një kompanie me kapital privat britanik, por me origjinë nga rajoni. Këto shënjestrojnë të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë me televizion me pagesë – siç bën tani edhe Telekom Srbija, në pronësi shtetërore, e cila transmeton kanale sportive në të gjithë rajonin nga zyrat e veta në Beograd.
Në rajon transmetojnë në gjuhët vendëse edhe media të huaja me mbështetje shtetërore, të tilla si Al Jazeera Balkans e Katarit, me bazë në Sarajevë, apo RT Balkans e Rusisë, me bazë në Serbi, vija editoriale pro-Kremlinit e së cilës përcillet gjerësisht edhe në median serbe, duke krijuar pakënaqësi në BE, ku RT dhe Sputnik janë të ndalur si burime dezinformimi të kontrolluara nga shteti rus. Edhe rregullatori i Malit të Zi ndoqi rrugën e BE-së duke bllokuar median e mbështetur nga Rusia.
Shije vendore të “merr dhe jep”
Ndërsa investitorët e huaj në përgjithësi janë larguar dhe media komerciale e ka gjetur të vështirë të mbijetojë në tregje të vogla, biznesmenë vendës kanë rrëmbyer median me ndikim duke përdorur kanale të subvencionuara prej tyre si zëdhënës të interesave të tyre politikë apo ekonomikë.
Ata zakonisht trajtojnë mirë shtetin me shpresën se do të sheshojnë rrugën për operacionet e tyre të biznesit, por qeveritë kanë edhe mjete shtesë për të ruajtur kontrollin mbi mediat. Këto përfshijnë pronësinë e drejtpërdrejtë apo të tërthortë, caktimin selektiv të granteve apo reklamave zyrtare nga të cilat mediat varen për mbijetesë, apo rezervimin e licencave transmetuese apo publikuese për mediat miqësore.
Serbia, vendi më i madh në rajon, ndërmori hapa të tillë shqetësues në vjeshtën e vitit 2023, kur një ligj i ri hoqi ndalimet mbi disa lloje pronësish shtetërore mbi median, të cilat kishin qenë në fuqi prej vitesh. Përfituesi më i dukshëm i këtyre ndryshimeve është Telekom Srbija, e cila tashmë ka në pronësi disa media si dhe disa ofrues interneti apo televizioni kabllor të përdorur për të shpërndarë media, një rast i përqendrimit “vertikal” të fuqisë, d.m.th., kontrollimit të pjesëve të zinxhirit të furnizimit (ndërsa përqendrimi horizontal është, për shembull, pasja në pronësi e shumicës së gazetave apo televizioneve në një treg, apo në të gjitha degët e një tregu mediatik).
Në Shqipëri, kontrolli politik mbi median – kryesisht përmes pronarëve privatë me lidhje të ngushta me partitë politike – u gjet se është, në mënyrë shqetësuese, i lartë.
Siç pritej, shtypi është në rënie nëpër të gjithë rajonin, ku Kosova është vendi i parë pa gazeta të përditshme në qarkullim, ndërsa media online është në rritje, megjithëse nuk ka tërhequr ende financime të mëdha, të cilat mbeten të përqendruara te televizionet.
Bashkimi Evropian ka ndikim të fortë mbi të gjashta qeveritë në rajon. Si pjesë e procesit të anëtarësimit, këto vende duhet të përshtaten me normat dhe vlerat e tij, përfshirë një media të pavarur dhe transparente, me rregullim të fortë, ndërhyrje shtetërore të paktë, me gazetarë të mbrojtur dhe me një lojë të barabartë, pa përqendrim të pronësisë, gjë që shtyp konkurrencën e lirë.
Ndërsa në letër ekzistojnë shumë ligje apo rregullore model, në realitet rregullat shmangen në mënyrë më krijuese dhe nuk zbatohen në mënyrë efikase.
Hulumtimi i MOM zbuloi se nëpër të gjithë rajonin, mungesa e të dhënave – të cilat duhet të jenë të disponueshme publikisht – e bëjnë të vështirë të thuash qartësisht se kush e ka në pronësi median.
Në mënyrë të ngjashme, mungesa e të dhënave të besueshme mbi ndarjen e audiencës apo të ardhurave të tregut ka penguar përpjekjet për të përcaktuar shkallën e përqendrimit në pak duar të medias më popullore.
Një tablo e përzierë progresi
Në raportin e vet më të fundit mbi progresin e rajonit në përmirësimin e medias, konkluzioni dominues i Bashkimit Evropian ishte se këto vende “mund të bëjnë edhe më mirë”.
Reporterët pa kufi (RSF), një organizatë e pavarur e lirisë së shprehjes, i dha pikët më të ulëta Shqipërisë në vrojtimin e vet të vitit 2023, e pasuar nga Serbia, vendi i vetëm që ka bërë hapa pas, banorët e së cilës besojnë në media më pak se sa kudo tjetër në Evropë.
Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi u cilësuan si vendet që kanë mjedisin më të mirë në rajon për median e lirë.
Ky MOM ka analizuar rajonin me një gamë prej dymbëdhjetë treguesish të krahasueshëm për të matur rrezikun për pluralizmin e medias, të cilat mund të eksplorohen në këtë faqe interneti si dhe në secilin nga gjashtë kapitujt.
Regional Overview Western Balkans
Treguesit e rreziqeve për pluralizmin mediatik
- Përqendrimi i audiencës së medias
- Përqendrimi në tregun e medias
- Masat mbrojtëse rregullatore: Përqendrimi i pronësisë së medias (horizontal)
- Përqendrimi ndërsektorial i pronësisë së medias
- Masa ligjore mbrojtëse: Përqëndrimi ndërsektorial i medias
- Transparenca e pronësisë
- Masat ligjore mbrojtëse: Transparenca e pronësisë
- Kontrolli poltik ndaj mediave
- Kontrolli politik mbi infrastrukturën e medias
- Kontrolli i shtetit ndaj resurseve të medias
- Masa ligjore mbrojtë: Neutraliteti i rrjetit
- Mosbalancimi gjinor në industrinë e medias
- I Lartë
- Mesatare
- I Ulët
- Nuk ka të dhëna