Limitet e Rregullimit Kombëtar
Rregullimi i medias në Ballkanin Perëndimor punon pjesërisht mirë, gjeti hulumtimi i Monitorit të Pronësisë së Medias, por, në fusha të tjera, objektivat e shkruara në letër nuk po realizohen dot në praktikë, mes ankesave për ndërhyje politike dhe mungesë efikasiteti.
Panorama e medias në rajon ngre gjithashtu një pyetje të veçantë: si mundet që organet kombëtare të rregullojnë median në mënyrë efikase – për të garantuar konkurrencë, larmishmëri, transparencë dhe cilësi – kur tregu në disa drejtime i shpërfill kufijtë shtetërorë?
DILEMA NDËRKUFITARE
Nuk ka rregullim ndërkufitar në një rajon që ka gjuhë të përbashkëta, kulturë dhe histori të ndërthurur, të cilat lejojnë deri në një farë mase treg mediatik të përbashkët.
Ky problem nuk është unik këtu, por shtohet nga përmasat e pabarabarta të vendeve, audiencat nga minoritetet etnike dhe me ndjesi të caktuara politike, tregjet mediatike relativisht të reja dhe konkurruese dhe, edhe më shumë se kaq, nga kuadrot rregullatore që përpiqen t’i policojnë këto tregje.
“Ballkani Perëndimor” është termi përmbledhës për Shqipërinë dhe për ato pjesë të ish-Jugosllavisë, të cilat, ndryshe nga Kroacia dhe Sllovenia, nuk janë anëtarësuar ende në Bashkimin Evropian. Për dekada me radhë, rajoni njohu pothuajse zero media të ndryshme nga mediat shtetërore deri sa komunizmi u rrëzua në fillim të viteve ’90, në Shqipërinë e izoluar të vijës së ashpër dhe në Jugosllavi, e cila u shpërbë dhunshëm në shtete të ndryshme.
Mediat në vende të tjera (edhe nga jashtë rajonit, si Kroacia apo Bullgaria) mund të shënjestrojnë audiencën në vende të tjera, gjë mbi të cilën rregullatorët kanë pak kontroll përveçse nëse audienca shënjestrohet përmes një kompanie bijë të regjistruar në vendin specifik.
Kjo situatë është kryesisht në përfitim nga mediat e fuqishme nga vendet më të mëdha, p. sh., Shqipëria dhe Serbia, popujt e së cilës flasin dy gjuhët kryesore ndërkufitare, ose nga jashtë rajonit.
Serbët, malazezët dhe boshnjakët (si dhe kroatët), që të gjithë komunikojnë brenda të njëjtës familjeje gjuhësore, të cilën edhe shumë nga maqedonasit e veriut e kuptojnë.
Shqiptarët etnikë flasin një gjuhë shumë të ndryshme, siç është rasti i shumicave në Shqipëri dhe në Kosovë si dhe mes pakicave në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi.
Rregullatorët kombëtarë mbikëqyrin licencat e transmetimeve tokësore, por kanë pak kontroll mbi stacionet televizive të përcjella në vend përmes kabllorëve apo satelitorëve, apo mbi median online, rëndësia e së cilës po rritet.
Në Ballkanin Perëndimor, ku tensionet etnike mbeten të larta pas luftërave të viteve 1990, kjo ka sjellë akuza për ndërhyrje nga qeveritë fqinje (veçanërisht nga Serbia), përmes mediave të mbështetura nga shteti.
Shumë në median serbe mbajnë një vijë pro-qeveritare, e cila mund të ndikojë serbët në Bosnjë, Kosovë dhe në Malin e Zi. E njëjta gjë është për median e Shqipërisë, e cila arrin shikuesit në Kosovë si dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Media kroate ka gjithashtu audiencë të fortë në disa pjesë të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Grupime mediatike të mëdha rajonale apo shumëkombëshe kanë krijuar degë në vendet e shënjestruara, të cilat pas kësaj janë subjekt i rregullimeve kombëtare, siç është rasti i Medias Klan në Shqipëri, e cila është aktive në Maqedoninë e Veriut. Në këtë rast nuk ka nevojë për rregullim ndërkufitar, por vetëm për mbikëqyrje të fortë kombëtare – e cila në vetvete mungon.
Por në raste të tjera, nuk ka degë vendore – ose nuk ka më. Pink Media e Serbisë shiti televizionin e vet lokal në 2018 pas një veprimi rregullator. Por tani, Pink Media vijon të transmetojë në Malin e Zi drejtpërsëdrejti nga Serbia. Shumë zyrtarë malazezë vijojnë të akuzojnë Serbinë se po e përdor Pink për të ushtruar ndikim politik, veçanërisht në periudha zgjedhore. Pink e hedh poshtë këtë aludim.
DOMINIMI I TREGUT RAJONAL
Ka pasur ndryshime të vazhdueshme në media që nga vitet 1990. Në atë kohë, shumë kompani të mëdha mediatike evropiane (si Westdeutsche Allgemeine Zeitung e Gjermanisë) hynë në atë që shpresuan se do të bëhej një treg fitimprurës në vendet Ballkanike që sapo kishin hyrë në demokraci, por u tërhoqën më pas kur rezultoi se ishte e vështirë të nxirrje fitime. Pak investitorë të tillë kanë mbetur.
Mes kompanive të mëdha tani numërohen United Group, e cila është në pronësinë e një kompanie me kapital aksioner privat britanik, por me origjinë nga rajoni, e cila ka për shënjestër të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë përmes televizionit me pagesë. Ù
Ringier, një kompani me bazë të Zvicër, ka prani të madhe në Serbi ndërsa aktorët austriakë kanë degë në rajon.
Monitori i Pronësisë së Medias (MOM) ka gjetur se është e vështirë të sigurosh të dhëna të besueshme për të matur përqendrimin e medias në nivel kombëtar, e aq më pak, në nivel transnacional, të cilat janë të nevojshme për të kontrolluar nëse një kompani ka kontroll në nivel shqetësues në tregjet më të gjera gjuhësore rajonale në rajon.
Për shkak të mungesës së mandatit, kjo është diçka që rregullatorët kombëtar nuk e shohin dot.
Përqendrimi mundet të mos jetë në vetvete automatikisht diçka e keqe, nëse është transparent; në një rajon tregjesh të vogla, një prani e fortë ndërkufitare mund të jetë një nga të paktat mënyra për të siguruar një model biznesi funksional.
Në lidhje me ndikimin nga jashtë, shqetësuese janë mediat e ndryshme në pronësi shtetërore, të cilat kanë krijuar prani në rajon gjatë viteve të fundit, megjithëse audiencat e tyre janë tepër të vogla për të shkaktuar shqetësime mbi vetë pjesët e tregut.
Më të suksesshmit mes këtyre janë ndoshta Al Jazeera Balkans me bazë në Sarajevë, në pronësinë e Al Jazeera Media Network, një rrjet i kontrolluar nga shteti i Katarit. Al Jazeera Balkans është popullor në Bosnjë, por tërheq shikues nga i gjithë rajoni dhe është ndër pesë mediat më të shikuara të huaja në Serbi. Ky kanal shmang lajmet zakonisht partizane nga pikëpamja etnike, të cilat gjenden në kanalet vendore.
China Radio International, media shtetërore kineze, drejton programe radiofonike në gjuhën serbe dhe përmbajtje në internet.
Media shtetërore ruse, është gjithashtu e pranishme nëpër të gjithë rajonin, përmes portaleve të tilla si Sputnik apo shërbimeve radiofonike në Serbi, Malin e Zi dhe Bosnjë, si dhe RT (më herët Russia Today), e cila u ndalua nga BE-ja përmes regjimit të saj të sanksioneve, por vijon të transmetojë në anglisht dhe në rusisht në Ballkan përmes paketave kabllore apo satelitore.
RT ka nisur një shërbim interneti dhe televizioni në gjuhën serbe të quajtur RT Balkan. Serbia është aleati më i ngushtë i Rusisë në rajon dhe ndjenjat pro-ruse këtu janë të forta. Përmbajtja e Sputnik dhe RT-së rishpërndahet gjerësisht në median e Serbisë.
“Serbia ka nevojë të ndërmarrë veprim urgjent për të kundërshtuar narrativat anti-BE të propaganduara nga media të shumta dhe të kundërshtojë manipulimin informativ dhe ndërhyrjen informative të huaj, ku më e dukshmja është rasti i kontekstit të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës,” thuhet në raportin e progresit të Serbisë nga Komisioni Evropian në 2023.
RREGULLIMI KOMBËTAR
Në rang kombëtar, media ka kuadër ligjor dhe rregullator të mirë, por vuan nga mungesa e të dhënave të disponueshme mbi tregun e medias dhe mbi pronarët dhe shpesh ka mungesë vullneti për të sfiduar politikanët.
Rregullatorët duhet të garantojnë media të lirë dhe të ndershme, panoramë mediatike pluraliste si dhe të parandalojnë presionin nga shteti apo nga partia në pushtet; ato duhet të ruajnë standardet etike dhe profesionale dhe të parandalojnë kontrollimin e medias nga pak duar.
Ky përqendrimi pronësisë mund të jetë “horizontal” – një pjesë e konsiderueshme e tregut të gazetave, apo tregut online apo atij televiziv, ose të të gjithave bashkë nën kontrollin e pak duarve – ose mund të jetë “vertikal”, ku një pronar kontrollon pjesë të ndryshme të zinxhirit të furnizimit, të tilla si njerëzit që krijojnë përmbajtje, mjetet për shpërndarjen, të tilla si rrjetet kabllore apo rrjetet e të dhënave të lëvizshme, e madje edhe të shtypshkronjave.
Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka ligje të caktuara dhe organe rregullatore që qeverisin transmetimet dhe telekomunikacionet, gjë që do të thotë se përqendrimi vertikal nuk kontrollohet. Shumë kanë edhe rregulla të ndryshme mbi sektorë të ndryshëm mediatikë, të cilat lejojnë pronarin e një mediaje të akumulojë pjesë të konsiderueshme të tregut në segmente të ndryshme njëherësh, si, fjala vjen, në transmetime, shtyp apo në median online.
Serbia bëri hapa para në këtë drejtim me ndryshimet e vitit 2023 te ligjet mbi informacionin publik dhe mbi median elektronike, por progresi u la në hije nga amendimet surprizë, të cilat bënë që për herë të parë në një dekadë, kompanitë e telekomunikacionit mund të blejnë media, diçka që shtetërorja Telekom Srbija duket e ka bërë gjithsesi prej shumë vitesh tashmë. [add link to state story]
Që nga hulumtimi i fundit i MOM gjashtë vjet më parë, pluralizmi i medias ka vijuar të bjerë në Serbi, pjesërisht për shkak të institucioneve dhe sistemeve rregullatore të dobëta.
Komisioni Evropian, ekzekutivi i BE-së, ka thënë se Autoriteti Rregullator i Medias Elektronike të Serbisë (REM) “dështon të demonstrojë pavarësinë e vet në një mënyrë konsistente dhe të ushtrojë mandatin e vet për të garantuar tërësisht pluralizmin e medias dhe standardet profesionale të saj”.
Organizata mbikëqyrëse gazetareske Reporterë pa kufi (RSF) ka bërë thirrje që t’i jepet fund rregullimit “toksik” të medias, me kritika të përqendruara në caktimin nga ana e REM të licencave të transmetimeve kombëtare për median pro-qeveritare.
Si kudo, interneti po rritet me shpejtësi si burim i lajmeve dhe i informacionit, por rregullimi nuk ka pasuar.
Kosova, ku mosha mesatare është 30 vjeç në krahasim me 43 që është në Serbi – ka një nga shkallët më të larta në Evropë sa i përket penetrimit të internetit dhe udhëheq rajonin në shkallën e përdorimit të mediave sociale.
Hulumtimi i MOM për pronarët e medias në Kosovë ka zbuluar mungesë transparence, e cila rrjedh nga një kuadër rregullator i paqartë. Përpjekjet për të zbuluar pronarët përfitues (të cilët me të vërtetë kanë pushtetin, më shumë se sa personat fasadë, emrat e të cilëve gjenden si pronarë të kompanive të regjistruara), pati sukses të kufizuar.
Vendi më i ri i rajonit (Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008), ka mungesë në themelet ligjore për të ndaluar një person nga pasja në pronësi e shumë tepër mediave, gjeti MOM.
Rregullatori, Komisioni i Pavarur i Medias, ka bërë hapa të rinj premtues në këtë drejtim përgjatë pesë viteve të fundit. Në fund të vitit 2023, komisioni publikoi projekt-rregullat që do të mundësojnë, mes hapave të tjerë, të kufizojnë pronësinë e huaj të medias te paketat aksionere minoritare.
RSF tha se rregullatori ka qenë joefikas, ndërsa dy anëtarë të stafit, drejtuesi ekzekutiv dhe drejtuesi i administratës, u akuzuan për korrupsion. Gjithsesi, RSF balancoi vlerësimin e saj me komente nxitëse: qeveria ka ndërmarrë progres domethënës në depolitizimin e transmetuesit publik, organeve rregulluese dhe legjislacionit për median.
Në Shqipëri, ligjet mbulojnë vetëm median audiovizive dhe nuk përkufizojnë pronësinë e medias, duke e shtyrë MOM ta vlerësojë rrezikun e një përqendrimi të tillë si “të lartë”.
BE-ja i ka dhënë Maqedonisë së Veriut një vlerësim relativisht pozitiv sa i përket lirisë së medias, por ka nxitur parlamentin të finalizojë emërimet në rregullatorin e medias dhe në këshillin e programit të transmetuesit publik; që të dyja janë vonuar tashmë prej vitesh.
Bosnja dhe Hercegovina, me strukturën e saj komplekse politike, ka vetëm ligj kombëtar mbi komunikimet, i cili rregullon pjesërisht median online, si dhe një ligj mbi transmetimet publike. Ajo ende nuk ka ligje mbi transparencën e pronësisë së medias dhe mbi reklamën. Autoritetet në Republikën Srpska, pjesën e vendit të drejtuar nga serbët, kanë filluar të hartojnë ligje të reja, por gazetarët ankohen se procesi nuk ka transparencë dhe nuk i është nënshtruar konsultimeve të nevojshme.
RSF tha se ndëshkimet penale për shpifjen, të cilat janë hequr nga shumica e Evropës, por janë rivendosur në Republikën Srpska në korrik 2023, dëmtojnë shoqërinë civile dhe kufizojnë lirinë e shprehjes.