NDIKIMI SHTETËROR
Kërkimi i Monitorit të Pronësisë së Medias (MOM sipas akronimeve në anglisht) ka gjetur se shumë qeveri të Ballkanit Perëndimor ende kanë ndikim mbi median, megjithëse kushtetutat dhe ligjet e tjera e ndalojnë këtë.
Vetëm tre dekada më parë, shteti kontrollonte të gjithë ose pothuajse të gjithë median në Shqipërinë dhe Jugosllavinë komuniste, kjo e fundit, federata ku bënin pjesë të pesë shtetet e tjera.
Një panoramë më pluraliste dhe e larmishme pasoi tranzicionin traumatik, e me raste të dhunshëm, nga komunizmi në tregun e lirë, me investitorë të huaj që erdhën në kërkim të fitimeve dhe që më pas u larguan sërish.
Sot shteti vijon të dominojë në disa vende si Serbia dhe Shqipëria ndërsa të tjerë vende kanë shkuar më tutje në distancimin e njerëzve në pushtet nga ata në media, të cilët duhet t’i mbajnë të parët llogaridhënës.
Një tablo e detajuar e kontrollit politik mbi përmbajtjen, rrjetin e shpërndarjes dhe financimin e medias ofrohet përmes treguesve të rrezikut të MOM, të cilat mund të krahasohen këtu dhe në gjashtë kapitujt e këtij rajoni për Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
Qeveria, ose ata në pushtet, mund të kontrollojnë apo frikësojnë median në shumë mënyra: përmes pronësisë së drejtpërdrejtë apo të tërthortë; përmes kontrollimit të rregullatorëve dhe procesit të dhënies së licencave për operimin e medias; pronësi përmes aleancave; dhënies së granteve apo reklamave zyrtare nga të cilat varen shumë media për mbijetesë; apo thjeshtë përmes kanosjes së hapur të gazetarëve.
PRONËSIA E DREJTPËRDREJTË
Në të gjithë rajonin, transmetuesit shtetëror janë transformuar në transmetues publikë, së paku nominalisht, gjë që ka sjellë një shkallë suksesi të ndryshëm nga vendi në vend. Mediat shtetërore ishin zëdhënëse të partisë; mediat publike vijojnë të jenë të financuara nga publiku përmes tarifave të licencave apo mjeteve të tjera, por duhet të jenë të distancuara nga ndikimi shtetëror, me qeverisje të pavarur dhe linjë editoriale të paanshme.
Realiteti shpesh ndryshon nga kjo dhe përzierja politike fillon që nga sipër.
Në shumicën e rasteve, parlamenti emëron drejtuesit e transmetuesit publik. Në një sistem politik vibrant dhe përplot me parti të ndryshme, kufizimet dhe balancat politike janë të mundshme për t’u arritur ndërsa përplasjet politike të vazhdueshme mund të kthejnë një emërim të përkohshëm në një emërim thuajse të përhershëm, në përfitim të cilitdo aleati politik që mban postin.
Dhe në rastet kur një parlament dominohet nga një parti, të emërtuarit mund të sjellin me vete presion politik.
Kërkimi mbështet gjetjet e organizatave mbikëqyrëse, të tilla si Freedom House, të cilat vërejnë se në Serbi, partia në pushtet në përgjithësi merr shumicën e kohës së raportimit nga transmetuesit nën pronësi shtetërore. [link to RTS]
Në Bosnjë, ajo thotë se transmetuesit vendorë dhe rajonalë publikë shpesh operojnë si platforma partizane, veçanërisht në pjesën e serbëve të Bosnjës. [link to RTRS]
Freedom House gjeti gjithashtu ndikim mbi vijën editoriale në transmetuesin publik të Kosovës, megjithëse tani parlamenti po ndërmerr hapa për të depolitizuar emërimet atje. (link to RTK)
Më pozitivisht, Freedom House tha se transmetuesi publik i Malit të Zi, RTCG, ka bërë përpjekje për t’u transformuar në një transmetues të vërtetë të shërbimit publik, me politikë editoriale më të balancuar dhe më gjithëpërfshirëse dhe me përmbajtje politike më të larmishme. Sondazhet e opinionit publik në 2022 treguan rritje në besimin e publikut te RTCG, dhe rritje të numrit të shikuesve.
PRONËSIA JO E DREJTPËRDREJTË
Pas një periudhe reformash premtuese, Serbia po shfaq shenjat më të qarta të hapave pas në rajon sa i përket pronësisë jo të drejtpërdrejtë të shtetit mbi median.
Një ligj i rëndësishëm i vitit 2014 ndalon shtetin nga kontrolli i drejtpërdrejtë apo i tërthorët i ndonjë medie. Dhe Serbia shiti të gjitha mediat vendore, por mbajti gazetat kombëtare me ndikim, të tilla si Politika dhe Večernje novosti.
Ajo dukej sikur po bënte hapa të tjerë përpara këtë vit me ndryshimet në ligjin e medias, shumë prej të cilave u mirëpritën nga BE-ja, të tilla si kodifikimi i rolit të Këshillit të Shtypit dhe bërjes transparente të programit të bashkëfinancimit publik.
Por këto përparime mbetën në hije nga amendimet në çastin e fundit, të cilat përmbysën elementë të reformës së vitit 2014. Legjislacioni i fundit të vitit 2023 lejon kompanitë shtetërore të telekomunikacionit – në praktikë, gjigantin kombëtar Telekom Srbija – të blejë dhe të drejtojë kompani mediatike.
Telekom Srbija hyri në tregun mediatik në vitin 2004 kur krijoi portalin online Mondo. Që nga ajo kohë, ai është angazhuar në transaksione që sinjalizojnë një ekspansion madhor në tregun e medias, përmes blerjes së botuesve me ndikim dhe transmetuesve në të gjithë rajonin.
Më 2018, Mondo bleu “Adria Media Group”, e cila publikon Kurir, një tabloid me shitje të larta, dhe bleu një operator kabllor i cili ka në pronësi dy televizione tokësore, Prva dhe B92. Në 2022, Arena, një kompani bijë e Telekom, filloi të transmetojë kanale sportive nëpër të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë, përfshirë Kroacinë dhe Slloveninë.
Ky nivel i përqendrimit vertikal është jo vetëm i pakrahasueshëm në rajon, por edhe problematik në terma rregullator. Tani ky model është legalizuar.
KONTROLLI MBI RREGULLATORËT
Kushtetutat dhe ligjet garantojnë media të lirë dhe të pavarur dhe rregullatorët duhet ta policojnë këtë. Por edhe rregullatorët mundet të vihen nën kontroll nga shteti.
Një organizatë tjetër mbikëqyrëse e medias, Reporterë pa Kufi (RSF), i dha Shqipërisë notën më të ulët në rajon sa i takon lirisë së medias për vitin 2023, duke thënë se emërtimet në mediat publike [link to RTSH] dhe te rregullatorët, ishin të politizuara.
Organizata tha gjithashtu se Autoriteti Rregullator i Medias Elektronike në Serbi nuk kishte pavarësi dhe e dënoi atë pasi katër licencat për transmetime kombëtare iu dhanë mediave pro-qeveritare më 2022.
Në Kosovë, RSF përshëndeti hapat e parë që synojnë ta bëjnë Komisionin e Medias së Pavarur të punojë në mënyrë të pavarur përmes emërimeve në bazë të kriterit profesional.
PRONARË MIQËSORË
Mediat kryesore në Shqipëri janë nën pronësinë e familjeve të fuqishme, të cilat kanë lidhje të ngushta me politikanë dhe biznese të ndryshme që variojnë nga ndërtimi te tregtia e karburanteve. Edhe pse ka shumë media në një treg të vogël, raportimet e tyre shpesh shfaqin anësi përkundrejt interesave politike dhe ekonomike të pronarëve të tyre.
Hulumtimi i MOM zbuloi se mediat, pronarët e së cilave kanë përkatësi specifike politike, zënë 98% të audiencës në Shqipëri. MOM vlerëson se kontrolli politik mbi mediat është i lartë në një vend ku Partia Socialiste ka qenë në pushtet që nga viti 2013.
FINANCIMI PËRMES GRANTEVE
Në tregje të vogla dhe të fragmentuara, qëndrueshmëria është një problem i madh dhe, për disa media, mbijetesa sigurohet vetëm falë injeksioneve të parave nga shteti në formën e granteve programatike apo reklamave publike.
Financimet gjatë pandemisë së COVID-19 mbajtën gjallë shumë media, të cilat ende janë të dëshpëruara për ndihmë financiare shtetërore, idealisht pa pritshmëri për qëndrim editorial pro-qeveritar në shkëmbim.
Në Malin e Zi, tregu më i vogël që ka tre gazeta të përditshme, pesë televizione kombëtare dhe 150 media të tjera të regjistruara për vetëm 620 mijë banorë, shteti i paguan ato për të prodhuar përmbajtje edukuese, kulturore apo përmbajtje të përgatitur për pakicat. Drejtuesit e medias, si në atë komerciale ashtu edhe në atë publike, kërkojnë më shumë ndihmë shtetërore për të mbijetuar.
Në Serbi, financimet shtetërore sakaq janë substanciale, por grantet shpërndahen në mënyrë të pabarabartë dhe opake – megjithëse ligji i vitit 2023 është hartuar për të sjellë më shumë qartësi këtu. Shumë, veçanërisht media vendore, kanë vetëm të ardhura modeste nga reklamat dhe mbështeten gjerësisht te ndihma shtetërore, në veçanti nga grantet për bashkëfinancimin e raportimeve të ndryshme.
Qeveria e Shqipërisë përdor oferta për shpërblime dhe kërcënime për ndëshkim për të formësuar raportimin mediatik. Disa media të rëndësishme marrin financime dhe koncesione, por ato kritike ndaj partisë në pushtet përballen me gjoba, inspektime dhe masa të tjera ndëshkuese.
Financimi indirekt shtetëror është një burim madhor i të ardhurave për median shqiptare, por ai është opak dhe shpërndarja diskriminuese ngre dyshime për ndikim nga vëzhguesit e huaj. Një makineri e sofistikuar propagande, financuar nga paratë publike, gjeneron përmbajtje të parapërgatitur që shpërndahet përmes stacioneve televizive dhe medias online. Për shembull, një vrojtim i kohëve të fundit zbuloi se në median pro-qeveritare, raportimet nga kryeqyteti Tiranë ishin pothuajse njësoj si deklaratat për shtyp të lëshuara nga bashkia.
FINANCIMI PËRMES REKLAMAVE ZYRTARE
Maqedonia e Veriut është një treg i vogël, por i ngjeshur me konkurrencë të ashpër – kaq i ngjeshur sa 33 stacione televizive kanë falimentuar përgjatë 12 viteve të fundit – e megjithatë 44 televizione janë ende në operim sot, për një popullsi prej vetëm 2 milionë banorësh.
Me shpresë për qëndrueshmëri, media u kthye fillimisht te shteti. Në vitin 2016, shteti ishte reklamuesi më i madh në vend. Një qeveri e krahut të djathtë, në pushtet nga viti 2006 deri më 2016, e pagoi median “miqësore” me mbi 26 milionë euro për të pasur fushata reklamash, të tilla si etika dhe ushqimi i shëndetshëm apo jetesa e shëndetshme.
Rubineti i parave shtetërore shteroi në 2017. Një qeveri e re, e udhëhequr nga socialdemokratët, ndaloi fushatat e interesit publik për të pakësuar ndikimin politik.
Ky hap, në dukje i lëvdueshëm, pati pasoja të pamenduara: pa paratë publike, shumë media falimentuan. Kompanitë televizive i janë lutur qeverisë ta përmbysë ligjin dhe kjo tani duket se do të ndodhë, por me masa parandaluese: shpenzimet duhet të kufizohen rreptësisht dhe qeveritë vendore mund të përdorin vetëm median vendore apo rajonale.
KANOSJA E GAZETARËVE
Së fundmi, por më e rëndësishmja, janë vetë gazetarët. Shteti mund të përdorë fuqinë e vet për të kanosur për raportime pozitive.
Drejtuesit e biznesit bëjnë të njëjtën gjë, duke ngritur padi – të ashtuquajturat SLAPP, Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike – kundër gazetarëve që hedhin dritë të padëshirueshme mbi punët e tyre.
Rezultati i dëshiruar i kësaj është vetëcensura, e cila është dominuese në të gjithë rajonin.
Gazetarët kritikë të qeverisë shqiptare kanë qenë subjekt i sulmeve politike dhe fushatave shpifëse, të tilla si rasti kur kryebashkiaku i Tiranës e sulmoi një gazetare si “vrasëse me pagesë” pasi ajo ngriti pyetje në lidhje me një investigim mbi kontratat e menaxhimit të mbetjeve.
Në Serbi, rregullatorët janë kritikuar se nuk kanë bërë asgjë për të ndalur sulmet politike kundër gazetarëve, të nxitura nga anëtarët e elitës në pushtet dhe të amplifikuara nga disa rrjete televizive kombëtare. Gazetarët e pavarur janë përballur gjithashtu me akses të kufizuar për intervista me përfaqësues të qeverisë dhe tek informacioni publik.