Përqendrimi – A është gjithmonë keq?
Monitori i Pronësisë së Medias synon, siç sugjeron emri, të gjejë se kush ka në pronësi cilën media – dhe të shohë nëse ndonjë palë ka një kontroll tepër të fortë mbi lajmet dhe informacionet që marrin qytetarët.
Kjo mund të jetë një sfidë e madhe edhe në një demokraci tërësisht funksionale, me të vërtetat e fshehura pas rrjetave të kompanive sekrete offshore, nga strukturat korporative të komplikuara apo nga pronësia ndërkorporative; e më tutje, nga pronësia përmes pronarëve fasadë, nga përdorimi i familjarëve apo ortakëve për të fshehur pronarët përfitues, të cilët, në fund të fundit, drejtojnë lojën.
Qytetarët kanë nevojë të dinë se kush qëndron pas informacionit që ata marrin, në mënyrë që ata të jenë gjyqtarë më të aftë të besueshmërisë së këtij informacioni.
Edhe nëse pronari mund të identifikohet, mund të jetë e vështirë të zbulohet se sa ndikim real kanë ata. Kjo varet nga pjesa e audiencës që kjo media kontrollon si dhe nga pjesa e tregut që kompania zë në të ardhurat e sektorit apo në të ardhurat ndërsektorale të medias.
Vendet e Ballkanit Perëndimor zakonisht kanë rregullime të qarta mbi deklarimin e pronësisë, por marrja e informacionit nuk është gjithmonë e lehtë. Shumë vende janë duke bërë hapa para me projektligjet e publikuara së fundmi që korrigjojnë këtë problem, e megjithatë rruga përpara është e gjatë, por e nevojshme, si në të mirë të shoqërive ashtu edhe në mbështetje të shpresave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kompanitë mund të mos deklarojnë informacionin e kërkuar në organet zyrtare ndërsa këto të fundit mund të mos kenë burimet për t’iu vënë atyre nga pas. Këta të fundit – qofshin regjistra biznesi, rregullatorë të medias, zyra të taksave apo ministri finance – jo gjithmonë i bëjnë regjistrat e tyre publikë ndërsa rregullisht dështojnë t’u përgjigjen kërkesave për të drejtë informimi, ndoshta për shkak se nuk kanë kohë dhe staf të mjaftueshëm, por shpesh, dukshëm, për shkak të mungesës së motivimit politik.
Monitori i Pronësisë së Medias (MOM) zgjodhi një kampion mediash më me ndikim në opinionin publik në secilin vend për të zbuluar se kush i ka në pronësi këto media dhe çfarë pjese tregu zënë ato.
Hapat e parë ishin të shikoheshin faqet e internetit të kompanive për këtë informacion, ose të kërkoheshin raportet e tyre vjetore. Ose thjeshtë duke i pyetur. Nëse kjo rezultonte me sukses, atëherë ky konsiderohet si një rast transparence proaktive, gjë që rezultoi rrallëherë e vërtetë.
KUSH E KA NËN PRONËSI MEDIAN TËNDE?
Megjithatë, në Bosnjë dhe Hercegovinë, për shembull, rreth një e katërta e medias së kampionuar, përfshirë edhe disa nga emrat e mëdhenj, nuk kanë njoftim ligjor në faqet e tyre të internetit për të deklaruar pronësinë dhe autorësinë e publikimit, e madje as adresën. Rreth 15 për qind nuk kishte fare informacion mbi pronarët.
Ka ende raste të dukshme të pronësisë fasadë, kur identiteti i personave zyrtarisht të regjistruar si pronarë, të cilët aktualisht kanë kontroll real mbi vijën editoriale dhe fatin e kompanisë, është i ndryshëm nga personat e regjistruar. Ndërsa në disa vende regjistrat e biznesit apo të medias e ofrojnë informacionin mbi strukturën e pronësisë publikisht, në vende të tjera kjo e dhënë mbahet e fshehur apo kërkon urdhër gjykate për ta zbuluar, siç është rasti i Bosnjës dhe Hercegovinës, ku skuadra e MOM u desh të vinte në përdorim ligjin për të drejtën e informimit në gjykatat e zonave përkatëse ku mediat ishin të regjistruara.
Në disa raste, dukej se luhej një motiv disi dukshëm politik. Shtetet e Bashkuara thonë se ky është rasti i Alternativna Televizija-Banja Luka (ATV) në Bosnjë, i cili SHBA thotë se i përket një kompanie të lidhur ngushtë me familjen e udhëheqësit serb të Bosnjës Milorad Dodik, një pretendim të cilin Dodik dhe kompania e konsiderojnë të pavërtetë.
“Dodik bleu ATV në mënyrë që me qëllim dhe haptazi të promovojë axhendën e tij, e cila përfshin përpjekje për të denigruar figura të tjera politike,” shkruhet në një deklaratë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. “Vetë Dodik ushtron kontroll personal mbi ATV-në.”
Bosnja nuk është i vetmi vend ku kompanitë mediatike janë nën dyshimin se kanë pronarë fasadë dhe pak informacion se kush realisht i kontrollon ato.
Në Kosovë, MOM pyeti 44 kompani mediatike mbi pronarët e tyre; vetëm 15 u përgjigjën. Duke u hedhur jashtë vendit për të gjetur pronësinë e pronarëve të regjistruar jashtë, ne morëm përgjigje nga Maqedonia e Veriut, por regjistrat përkatës të kompanive në Holandë dhe Luksemburg thanë se ata nuk publikojnë të dhëna të lidhura me pronarët fundorë përfitues.
Në Malin e Zi, hulumtuesit vunë në dukje një problem që ka të bëjë me organizatat mediatike jofitimprurëse. Këto nuk kanë nevojë të shpallin menaxhmentin apo financimin në të njëjtën mënyrë si mediat komerciale dhe mund të marrin donacione dhe ndihmë shtetërore pa kontroll.
“Ka shumë hapësirë për manipulim dhe abuzim,” tha Goran Djurovic, kreu i Media Centre, organizata jo-qeveritare me bazë në kryeqytetin Podgoricë. “Ata që duan të promovojnë përmbajtje, e cila është më së shumti propagandë, përmes medias jofitimprurëse, kanë një fushë të gjerë veprimi e cila nuk monitorohet nga askush.”
Unioni i Medias në Malin e Zi tha se audienca shpesh nuk ia ka idenë se kush është pas një faqeje interneti apo një kompanie tjetër mediatike për shkak se regjistrimi i medias nuk është i detyruar me ligj. “Ka një hapësirë të stërmadhe të lënë për manovra politike dhe burime ekonomike për ndikim,” tha Unioni.
Në tetor 2023, qeveria tha se ajo mund t’i japë rregullatorit të medias elektronike fuqinë për të detyruar kompanitë të deklarojnë “pronarët e vërtetë fundorë” dhe të parandalojnë dominimin e tepërt të tregut.
ÇFARË DO TË THOTË “DOMINIM I TEPËRT”?
Në metodologjinë e MOM, përqendrimi i medias konsiderohet si i lartë nëse katër pronarët kryesorë në secilën degë të medias – TV, radio, shtyp apo online – kanë më shumë se gjysmën e audiencës, ose të pjesës së tregut të matur nga të ardhurat. Tregues të tjerë shikojnë përqendrimin mbi të gjitha degët e medias njëherësh, me nivele të ndryshme që sugjerojnë vlerësim për “rrezik të lartë”.
MOM nuk e ka hulumtuar përqendrimin ndër-kufitar, një fushë disi e neglizhuar në tregje që rrjedhin përtej kufijve për shkak të gjuhëve, trashëgimive dhe kulturave të përbashkëta.
> Shiko artikullin mbi rregullimin
Pavarësisht pasjes së një tabloje të paplotë, duket se përqendrimi më i lartë në tregun e medias në rajon është në Shqipëri dhe në Serbi. Serbia është tregu më i madh me shtatë milionë banorë dhe Shqipëria është tjetri me rreth 2.8 milionë banorë.
Bosnja është një rast i veçantë (me një popullsi prej rreth 3 milionë banorësh), por që përmban dy entitete me dy palë media të ndryshme.
Dhe në anën tjetër të shkallës, Maqedonia dhe Mali i Zi duket se kanë më pak probleme me përqendrimin e medias në pak duar. Gjithsesi, rreziku i përqendrimit mbetet i lartë në të dyja vendet për shkak të mungesës së të dhënave mbi audiencën, të cilat do të lejonin matjen e përqendrimit.
Në Shqipëri, pronësia duket e larmishme në sipërfaqe me një përzierje të dukshme të biznesmenëve me gazetarët në majë. Megjithatë, një inspektim më i afërt nga MOM zbulon një përqendrim të pushtetit brenda pak konglomerateve nën pronësi familjare, të cilat dominojnë transmetimet si dhe shtypin.
Të dhënat treguan progres të paktë përgjatë pesë viteve që nga monitori i kaluar.
Në një notë pozitive, përqendrimi i medias ishte lehtësisht më i ulët që nga monitorimi i fundit i MOM në Shqipëri; përqendrimi i tregut të televizioneve pa pagesë në 2018 ishte 89.6%, ndërsa në vitin 2023 kjo ra në 72.4, për shkak të rënies në pjesën e tregut të familjes Hoxha (Top Media) dhe hyrjes në treg të operatorëve të rinj (A2 CNN dhe Euronews Albania). Gjithashtu, Grupi Klan shiti ABC News TV, gjë që reduktoi më tutje përqendrimin e tregut. Gjithsesi, pavarësisht kësaj, përqendrimi i tregut është ende shumë i lartë dhe i vlerësuar me rrezik të lartë për pluralizmin e medias.
BE-ja tha në raportin për Shqipërinë në 2023 se ndërthurja e interesave të biznesit me interesat politike, paqartësia në financim dhe përqendrimi i pronësisë së medias vijon të pengojë pavarësinë, pluralizmin dhe gazetarinë cilësore në media.
Në Serbi, vendi tjetër i vetëm në rajon që MOM ka monitoruar edhe më parë, treguesit e rrezikut për përqendrim audience kanë mbetur “të larta”.
Kosova vijon të mos ketë bazë ligjore për parandalimin e përqendrimit të pronësisë, megjithëse media është e mbrojtur në kushtetutë. BE-ja e ka kritikuar Kosovën për këtë dhe për dështimin për të trajtuar problemin e mungesës së transparencës së pronësisë. Por në tetor 2023, rregullatori i medias më në fund publikoi një projekt-rregullore mbi çështjen, e cila mes të tjerave ka propozuar vendosjen një tavani në nivelin 49% të aksioneve për pronësinë e huaj mbi mediat e licencuara.
A ËSHTË PËRQENDRIMI I TREGUT GJITHMONË DIÇKA E KEQE?
Ndërsa përqendrimi i pronësisë shmanget më mirë në një botë ideale, zbatimi i kritereve tepër të ngushta të pronësisë mund të ketë pasoja të padëshiruara në tregjet delikate. Ajo mund ta bëjë median komercialisht të paqëndrueshme dhe të hapë rrugën për njerëzit e fuqishëm të biznesit që të ndërhyjnë si financues të instancës së fundit. Këta fitojnë para mjaftueshëm në fusha të tjera sa për të subvencionuar media që dalin me humbje dhe të cilat më pas mund të shërbejnë si zëdhënëse për të nxitur bizneset e tyre të tjera apo interesat politike.
Për shembull, Maqedonia ka një nga nivelet më të ulëta të pronësisë ndërsektoriale të medias në botë (praktikisht zero), por media ankohet se kjo po i mbyt ato ekonomikisht.
TË DHËNA TË PAKTA DHE TË PAPLOTA
Ballkani Perëndimor vuan nga një sasi e paktë të dhënash të besueshme dhe të aksesueshme publikisht mbi tregun për të ndihmuar në përcaktimin e shkallës së përqendrimit të medias.
Audienca matet nga agjencitë private të vlerësimit, kryesisht për të ndihmuar reklamuesit të dinë se si të arrijnë dhe të vlerësojnë një media të caktuar. Por të dhënat e tyre shpesh janë të paplota dhe jo publike.
Në Shqipëri, ka vetëm një kompani kërkimore mbi audiencën që mbetet aktive, nga tre të tilla që ishin pesë vjet më parë. Ajo ofron të dhëna vetëm për televizionet dhe, edhe në këtë rast, shifrat për kryesorin Top Channel nuk mund të publikohen për shkak të mosmarrëveshjeve ligjore. Nuk ka të dhëna për gazetat, radiot apo median online.
Edhe në Maqedoninë e Veriut, të dhënat e audiencës janë të paplota, të pabesueshme ose të dyja bashkë. Vetëm pesë nga 43 stacionet televizive dinë se cili është vlerësimi për to, me shifrat e shikuesve të matur nga agjencia e respektueshme Nielsen, por me një çmim – vetëm pesë të parat janë të gatshme për të paguar. Vrojtimet me telefon nga Agjencia e Shërbimeve të Medias Audio dhe Audiovizive plotësojnë pjesërisht këtë hendek për transmetuesit e tjerë, por nuk janë në nivel ideal. Gazetat publikojnë shifra për numrin e gazetave të shtypura, por jo shifrat shumë më të rëndësishme të kopjeve aktualisht të shitura. Për median online, si në shumicën e vendeve, nuk ka sistem të unifikuar monitorimi.
Kosova nuk ka të dhëna zyrtare mbi audiencën.
Kështu, në një masë të madhe, tregjet e rajonit duhet të maten pa një njësi matëse. Disa aktivistë të medias thonë se këto shifra që janë të disponueshme mund të jenë gjithashtu të korruptuara, ose me fjalë të tjera, të ndikuara nga interesa të fshehta.
Ndarja e tregut sipas të ardhurave duhet gjithashtu të jetë një informacion i disponueshëm publikisht, por shpesh nuk është, me sensitivitetin komercial si arsye të përmendur shpesh. Ka gjithmonë tension në këtë fushë, por disa rregullatorë duket se janë tepër të gatshëm të bien dakord me bizneset për të mos publikuar asnjë nga këto shifra.
Një problem tjetër i madh është që kompanitë mediatike shpesh janë degë të një korporate apo konglomerati më të madh, i cili publikon vetëm të dhëna për të gjithë grupin.
Konglomerati mediatik i Serbisë, më i suksesshmi financiarisht, Pink Media, është një shembull i mirë për këtë. Grupi ka të ardhura prej 8.5 miliardë dinarësh (73 milionë euro) dhe fitime prej 2.2 miliardë dinarësh në 2022. Por kjo kompani mëmë ka një duzinë me kanale televizive, platforma digjitale dhe biznese të tjera jomediatike. Nuk ishte e mundur të gjeje të dhëna për performancën e një medie të caktuar brenda grupit, të tilla si Pink Television apo Pink Radio.
Në Serbi, mediat dhe kompanitë mediatike nuk publikojnë të dhëna mbi të ardhurat nga reklamat apo pjesën e tyre të tregut.
Në Kosovë, pothuajse asnjë media nuk publikon të dhëna financiare. Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve e Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave ofruan disa nga të dhënat e kërkuara mbi pjesët e tregut, por Ministria e Financave nuk shpjegoi se pse raportet e shumicës së medias nuk mund të gjendeshin në faqen e tyre të internetit, siç duhet. Administrata Tatimore refuzoi të ofrojë informacion për shkaqe të konfidencialitetit.